Tr*gjedi rrugore! Humbin jetën 2 të rinj shqiptarë, dalin detaje rrenqethese (EMRAT)
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën në Gjermani, ku kanë humbur jetën dy të rinj nga Kosova.
Viktimat e aksidentit tragjik janë nga Komuna e Rahovecit, Leart Morina dhe Berhan Zeka.
Momentalisht janë publikuar edhe fotografitë e dy të rinjve që humbën jetën tragjikisht në këtë aksident në Gjermani.
Nënkryetari i komunës Rahovec, Betim Kelani bëri këtë njoftim:
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të dy të rinjve nga Rahoveci, Leart Morinës dhe Berhan Zekës, në aksidentin e rëndë të ndodhur në Gjermani.
Humbja e dy jetëve të reja është një dhimbje e madhe, jo vetëm për familjet Morina dhe Zeka, por për të gjithë ne. Në këto çaste të rënda, fjalët janë të pamjaftueshme për të shprehur dhimbjen dhe trishtimin që sjell një tragjedi e tillë.
Në emrin tim dhe në cilësinë e Nënkryetarit të Komunës së Rahovecit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet, të afërmit dhe miqtë e të ndjerëve.
Zoti ju dhëntë forcë e durim, ndërsa Learti dhe Berhani pushofshin në paqe!”
Media gjermane nuk ka publikuar emrat e të ndjerëve. Një raport i policisë lokale dha informacion për një aksident me tre të vdekur mes të cilëve dy djem 21 dhe 24 vjeç:
Një aksident tragjik ka ndodhur në Baden-Baden të Gjermanisë, ku tre të rinj kanë humbur jetën dhe dy gra të tjera kanë mbetur të plagosura rëndë, pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe u rrëzua nga një urë.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës, 15 nëntor 2026, rreth orës 05:45, në rrugën Leopoldstraße. Sipas Policisë gjermane, një grua 43-vjeçare po drejtonte një automjet Mercedes kabriolet, me pesë persona në bord, kur për shkaqe ende nën hetim humbi kontrollin e mjetit.
Automjeti doli nga rruga dhe ra nga një urë rreth 10 metra e lartë, duke përfunduar në një terren të pjerrët dhe duke pësuar dëmtime të mëdha.
Si pasojë e përplasjes, dy të rinj të moshave 21 dhe 24 vjeç humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një vajzë 18-vjeçare ndërroi jetë pak më vonë në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.
Nga aksidenti mbetën të plagosura rëndë edhe drejtuesja 43-vjeçare e automjetit dhe një pasagjere 26-vjeçare, të cilat u transportuan në spital.
Hetimet kanë zbuluar detaje të tjera shqetësuese. Sipas Policisë, tre viktimat që udhëtonin në sediljen e pasme dyshohet se nuk kishin vendosur rripat e sigurimit. Gjithashtu, automjeti ishte projektuar për katër persona, ndërkohë që në të ndodheshin pesë.
Një tjetër element që po hetohet është konsumimi i alkoolit nga drejtuesja e automjetit. Testi i frymëmarrjes tregoi një nivel mbi 1 promil alkool, ndërsa autoritetet morën edhe një mostër gjaku për analiza të mëtejshme. Hetuesit dyshojnë se alkooli mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjetit.
Në vendngjarje ndërhynë forcat e Policisë, zjarrfikësit, ekipet e urgjencës dhe shërbimet e shpëtimit malor. Prokuroria ka urdhëruar ekspertizë teknike për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit.
Autoritetet gjermane u kanë bërë thirrje dëshmitarëve që mund të kenë parë automjetin përpara aksidentit të kontaktojnë Policinë.
Burimi: Policia e Offenburgut, 16 nëntor 2026.
